Pse ‘lu*fta e Ukrainës’ po i varfëron edhe më tepër shqiptarët
Aranit Muraçi
Inflacioni, ndryshimi i çmimeve, ka pësuar tjetër rritje në muajin shkurt, duke gërryer edhe më tepër buxhetin e konsumit familjar për shumicën e qytetarëve shqiptarë. Sipas shifrave zyrtare, më së shumti gjatë muajve të parë të vitit 2023 janë rritur çmimet e ushqimeve më të nevojshme për konsum të përditshëm. Me rënien e çmimit të naftës, aktualisht shqiptarët po vuajnë pasojat e rritjes së çmimeve të shportës bazë, pasi në shumë sektorë pagat kanë mbetur të njëjta, ashtu si para krizës. Segmente të caktuara të sektorit publik i kanë kërkuar qeverisë indeksimin e pagave, që ato të rritet me ritmet e rritjes së inflacionit, siç edhe po veprohet në vendet e tjera të zhvilluara. Tjetër ndryshim është se në vendet e Europës protestohet për rritjen e pagave, ndërsa qeveritë po negociojnë me sindikatat për të ndarë sektorët prioritarë të rritjes së tyre si dhe mundësinë e rritjes, në bazë të nevojave për secilin sektor. Kudo prioritet, për të shpëtuar njëkohësisht fuqinë blerëse po u jepet shtresave më të varfra, të cilat u goditën më tepër nga inflacioni.
Rritja e çmimeve në vend reflektohet nga kriza e çmimeve në BE, duke qenë se Shqipëria mbi 50 për qind të volumit tregtar e ka me vendet e Bashkimit Europian, kryesisht me Italinë. Por sipas Eurostat Inflacioni vjetor i Eurozonës pritet të jetë 8.5% në shkurt 2023, nga 8.6% në janar duke pësuar rënie. Duke parë përbërësit kryesorë të eurozonës, inflacioni më i lartë pritet të jetë ushqimi, alkooli dhe duhani norma vjetore në shkurt (15.0%, krahasuar me 14.1% në janar), e ndjekur nga energjia (13.7%, krahasuar me 18.9% në janar), mallra industriale joenergjetike (6.8%, krahasuar me 6.7% në janar) dhe shërbime (4.8% krahasuar me 4.4% në janar).
Në Itali rritja e çmimeve ushqimore është vlerësuar më e larta në 40 vite. Nga të dhënat më të fundit të Istat për shitjet me pakicë në muajin janar, blerjet me pakicë u rritën me 6.2% në vlerë, por ranë me 2.4% në vëllim. Krahasuar me janarin 2022, shitjet u rritën me 7,5% në vlerë, por u ranë me 4,4% në vëllim. Indeksi i një fuqie blerëse arriti kulmin historik. Duke iu rikthyer të dhënave italiane, grafiku me tendencën e ndryshimeve të shitjeve në vlerë tregon rritje shumë të forta për pothuajse të gjithë sektorët me përjashtim të vetëm të produkteve farmaceutike (-1.4%). Rritja më e madhe ka të bëjë me parfumerinë dhe kujdesin personal (+10,7%) e ndjekur nga veshjet (+9,4%) tekstilet dhe mobiliet (+8,4%). Rritje me 7.7% shënuan edhe këpucët dhe enët shtëpiake me 6.6%. Shqipëria si një vend importues, duket se importon krizën edhe rëndë se ç’po e përjetojnë vendet e zhvilluara.
Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shkurt 2023 është 7,1 % sipas të dhënave të INSTAT, kurse një vit më parë ky ndryshim ishte 3,9 %. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve të konsumit në muajin Shkurt 2023, krahasuar me Janar 2023 është 1,1 %.
Rritja vjetore e çmimeve në muajin Shkurt është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +4,80 pikë përqindje, pasuar nga grupi “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me +0,59 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me +0,50 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Pije alkoolike dhe duhan” dhe “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,25 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me +0,18 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” me +0,09 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim dhe kulturë” me +0,08 pikë përqindje.
Çmimet e grupit “Shërbimi arsimor” me +0,07 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Komunikimi” kanë kontribuar me +0,04 pikë përqindje secili.
Krahasuar me muajin Shkurt 2022, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 13,5 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 6,9 %, “Hotele, kafene dhe restorante” me 5,5 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 5,1 %, “Veshje dhe këpucë” me 4,4 %, “Argëtim dhe kulturë” me 3,4 %, “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,2 %, “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me 3,1 %, “Shërbimi arsimor” me 2,3 %, “Transporti” me 1,7 %, “Komunikimi” me 1,2 % dhe “Shëndeti” me 1,0 %. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “qumësht, djathë dhe vezë” u rritën me 28,0 %, pasuar nga nëngrupet “vajra dhe yndyrna” me 17,4 %, “peshk” me 16,3 %, “bukë dhe drithëra” me 15,2 %, “mish” me 13,8 %, “sheqer, reçel, mjaltë, çokollata dhe ëmbëlsira” me 13,2 %, “zarzavate përfshirë patatet” me 9,6 %, etj.
Krahasuar me muajin Janar 2023, çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 3,3 %, pasuar nga grupet “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 0,7 %, “Pije alkoolike dhe duhan”, “Argëtim dhe kulturë” dhe “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 0,3 % secili, “Hotele, kafene dhe restorante” me 0,2 % dhe “Shëndeti” me 0,1 %. Nga ana tjetër, çmimet i grupit “Transporti” u ulën me 2,8 %, pasuar nga “Veshje dhe këpucë” me 0,2 %.
Inflacioni në BE i ka rritur çmimet e ushqimeve me mbi 18%. Në vitin 2022, BE-ja regjistroi rritje mesatare të çmimeve prej 10.4% në të gjithë sektorët, por ushqimet u rritën edhe më shumë. Shtetet anëtare janë ndikuar ndryshe nga rritja e çmimeve, me Hungarinë që vjen si vendi më i prekur me një rritje prej 49.6% të çmimeve të ushqimeve gjatë një viti.
Mbi dymbëdhjetë muaj, nga dhjetori 2021 deri në dhjetor 2022, makaronat dhe bollguri u rritën me 70.9%, pati rritje prej 65.4% për bukën dhe drithërat dhe 73.2% për produktet si qumështi, djathi dhe vezët.
Në krahasim, Luksemburgu është vendi më pak i prekur brenda BE-së kur bëhet fjalë për çmimet e fryra të ushqimeve, me një rritje prej 11.1% – rreth 38 pikë më pak se Hungaria. 13.1% u rritën çmimet e ushqimeve në Francë dhe 15.7% në Belgjikë. Gjermania ka parë rritje të çmimeve të ushqimeve me 20.5%.